Ministria e Shëndetësisë tregon se a duhet test PCR të COVID-19 për të hyrë në Kosovë, nëse jeni të vaksinuar

Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka sqaruar për Metron se a duhet test PCR të COVID-19, për të hyrë në Kosovë nëse një person e ka certifikatën e vaksinës antiCOVID. Të gjithë personat që kanë marrë vaksinë antiCOVID, mund të futen në Kosovë pa test PCR.


Tash kur po afrohen pushimet e verës dhe në Kosovë vijnë mërgimtarët por edhe shtetas të huaj të tjerë, gjatë ditës së sotme Metro ka dërguar disa pyetje në MSH, në lidhje me testet PCR të COVID-19.

MSH në përgjigjen e tyre kanë bërë të ditur se kur është e domosdoshme që një qytetar të ketë një test PCR.

“Sipas masave ne fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 31 maj 2021, qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC’së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, kanë thënë nga MSH për Metron.

Ndërkaq nga kjo ministri është bërë e ditur se edhe cilët persona bëjnë përjashtim në këto raste.

“Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 orëve përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orëve. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga Covid-19. Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orëve. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre. Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik -IgG lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para mbërritjes”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH’së për Metron.

Kështu nga ato që u tha më lartë nga Ministria e Shëndetësisë, test PCR duhet vetëm për qytetarët që nuk e kanë marrë vaksinën, ose për ata që nuk kanë një test pozitiv të antitrupave, të bërë në 30 ditët e fundit.

Në raste të tjera për asnjë qytetar nuk duhet test.

Shpërndaje lajmin në:

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Close Menu