The Weeknd dhe Ariana Grande do të bashkëpunojnë në një këngë remix

The Weeknd duket se do ta realizojë një remix të këngës së tij “Save Your Tears”, në bashkëpunim me këngëtaren Ariana Grande.

Thashethemet rreth këtij remixi të hitit të këngëtarit kanadez ka kohë që po qarkullojnë online, por të hënën më 19 prill, The Weeknd e ndau një video në Instagramin e tij përmes së cilës e paralajmëroi projektin e përbashkët me Granden.

Kjo dyshe ka bashkëpunuar edhe më herët në realizimin e këngës së vitit 2014, “Love Me Harder” dhe asaj “Off the Table” të lansuar në tetor të vitit të kaluar.

Kënga “Save Your Tears” është pjesë e albumit të fundit të këngëtarit, “After Hours”, i cili u lansua në mars të vitit të kaluar.

Kurse muajin e kaluar, The Weeknd emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, i ngacmoi fansat duke lënë të nënkuptohet se epoka e muzikës së incizimit “After Hours”, mund të mos ketë përfunduar ende.

Kantautori i njohur kanadez, pas lansimit të albumit të katërt të incizuar në studio, e ka gëzuar një prej viteve më të suksesshme në karrierën e tij muzikore.Albumi i përfshinë gjithsej 14 këngë, përfshirë këtu hitet “Heartless”, “Save Your Tears” dhe “Blinding Lights”. Kjo e fundit shënoi rekorde duke u bërë kënga e parë e cila e kaloi një vit të plotë në topdhjetëshen e toplistës së 100 këngëve më të mira në Amerikë.

Pavarësisht debateve të shkaktuara pas neglizhencës që i bënë këtij incizimi organizatorët e ceremonisë “Grammy”, shpërblime këto të cilat këngëtari ka premtuar se do t’i bojkotojë përgjithmonë, The Weeknd ka lënë të nënkuptohet se e ka një befasi të fundit për fansat, para se ta përmbyllë epokën e albumit “After Hours”.

Së fundmi artisti i njohur botëror i ka bërë të ditura planet për t’i dhuruar 1 milion dollarë për t’i ndihmuar shtetit të Afrikës Veriore, Etiopisë, i cili ka disa muaj që është zhytur në gjak dhe është pushtuar nga kaosi./atv

Shpërndaje lajmin në:

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Close Menu